top of page
Writer's pictureEda Zari

Ennio Morricone - Me vdekje, vdekjen shkeli…


....dhe përjetësisht muzikën kësaj bote i fali!

Ishte 18 shkurti i vitit 2016.

Lanxess Arena- Këln.

E quaja veten me fat atë natë por sot ca më shumë!

Gati 10.000 frymë - në parket, tribuna, galeri dhe lozha, prisnin pezull legjendën që mbërriti në skenë - pa bori trumbetuese, tellall moderatori apo efekte a la “Pop Star“!

Maestro afrohet në meskenë me hapa modest, të urtë por të kujdesshëm. Teksa ngjitet në podiu-min e dirigjentit, në skenën gjigande (pa mure ledesh që të çatrafillosin syrin) në trini seksio-nesh, qëndronte Orkestra Kombëtare Simfonike e Çekisë, si dhe dy kore mikse; Kori Kodály, dhe ai i Operës Kombëtare Csokonai nga Hungaria. Kompozitori më i lëvduar i kinemasë botërore përshëndeti publikun euforik (që s´pushonte nga ovacionet), me një buzëqeshje të kursyer -aspak nga ato buzagazet klishe italiane - por të përzemërt, na bëri shenjë të sosnim e të zinim vend.

Falë sqimatarisë konceptuale dhe motos “simpel is more“ të Morricones, në sfondin blu nuk qe vendosur “cinematic big screen“ - siç ndodh rëndomë në k´si kombinimesh - medemek për të ilustruar muzikën. Muzika e Morricones josh dhe asimilohet shpirtërisht pa u argumentuar nga paradigmat vizuale filmike. Me këto mejtime u ula për të shijuar - ashtu përsëmbari kur i thonë!


Mjeshtri kish bër një përzgjedhje të zgjuar duke e ndarë programin e koncertit në - Tema Suitash. Muzika ishte tingulli dallues që përkundte dhe shtynte kujtesën e publikut ndër skena filmash pafund!

Morricone çel koncertin me një homazh dedikuar regjizorit Giuseppe Tornatore. Suita e filmit "Legjenda e 1900-ës“ nis me solon e harpës… Arena fiton bollëk prej timbri shprese, ëndrrash, dhe ajër prej dashurie ende të panjohur! Orkestra përtej unifikimit muzikal, i përcillte publikut tufëzime pupuriqëse tingujsh, herë sferik, herë të brishtë, teksa koret këndonin si të ishin zëra mitik që shpëtojnë prej pylli magjik. Mirëpo, teksa shijoja suitën e parë më zu “paniku“, ashtu si pushton frika e çdo lumturie absolute kur kupton se - është absolute! Ndjeva se nuk doja të mbaronte orkestra, koret, muzika… Ennio t´mos soste së dirizhuari! Isha në kundërshti ndaj fundisë së çdo suite t´pa filluar…

Më kumbonte dehtazi përbrenda (pa ardhur çasti), ushtria e harqeve tek vargskenat e puthjeve solemne tek “Cinema Paradiso“; flauti që rimerr temën e dashurisë e më pas solo pianistike që pështillet në t´kadiftën e kotrabaseve, pasuar nga klarineta që i shton peshën emocionale ndarjes, humbjes, rigjetjes së vonuar. Dhe mbrritën ato tinguj. Morricone nisi të dirizhoj suitën e “Childhood - Mannhood“. Të gjitha skenat e filmit mbështeten në zgjerimin gradual të temës së Totos, duke transferuar linjën melodike nga solo e violinës, tek flauti, në saksofon alto, dhe coda që kurorëzohet nga seksioni i frymorëve të drunjtë dhe piano.

Më tej suita e “Maléne“ - atypari m´u fanepsën vështrimet djaloshare mbi fustanin e Malénës, nën të cilin ecnin dy vija getash pas pulpash llaftari, teksa soloja e oboes (instrumenti i preferuar i Ennios) lante mendimet mëkatare të djaloshit me faqe ende pa zënë brisku, teksa rrinte përgjunjur tek këmbët e saj në pragdere!


Morricone dirizhonte Morricone!


Dirizhimi për Maestron 87-të vjeçar, ishte një udhëtim kronologjik ngazëllonjës. E shihja me atë shkop marramendës në dorë (pa maniera dhe lëvizje empatike), dhe kuptoja mesazhin, lajmin e tij; ai po u zhvishte suitave cipën e mureve legjendare kinematografike, petkun ikonik, përmasën metafizike, sepse - “Bota është tërësia e fakteve, jo e sendeve” - kështu Ludwig Witkenstein. Po de, muzika frymon kur partitura lë sirtarin dhe ajri bëhet Muzik!

Më pas vijuan suitat kushtuar regjizorit të cilit Morricone thotë se falë tij ai fitoi famë botërore. Apo është anasjelltas?

Sergio Leone e quante binomin e tyre - Një martesë të pavullnetshme! Për hir të kësaj “martese“ ndodhi ajo që bota nuk kish parë as dëgjuar kurrë një dimension të tillë artistik. Të paktën jo në kinema. Kohëra për t´u lëvduar ato, kur Sergio Leone në vitin 1964 i shpalli luftë kinematografisë së “shenjtë“ amerikane, përmes filmave të tij - the Spagetti Western. Ai solli në muret e kinemasë jo vetëm “Western“ me “heronj“ të ndotur, brutal, hajna dhe cinik, por edhe duke i privuar ata nga të gjithë mitet dhe modelet fisnike të atyre pionierëve që dikur manifestonin Amerikën e vërtetë.

Por si t´mos mjaftonte me kaq, edhe muzika do mbarte tone përçarëse pasuar nga disonanca të fuqishme. Lehtësia e papërballueshme e të luajturit - jo vetëm në tonalitete maxhore, do sillte me vete të zinjtë e Këngës së Vdekjes! Falë Morricones, filmat e Leones përfituan amalgamë me tone njerëzore, një muzikë konkrete, një kabinet plot zhurma hutinjsh, çakenjsh, sorrash që sillen togje togje, zhurma mizash mbi kufama, shtullunga erë shkretire, gërvishtje, çjerrje, fshikëllima kamzhikësh, trokëllima patkonjsh, trila bilbilash meksikanë që mbajnë në hyqëm kuajt, këmbanore fshatrash të braktisur, bam-bume koburesh, piano të çakorduara sallonesh:

Ndryshe thëne - një simfoni parodike, sixhade e tërë (jo prej konserve) punëdoreje stisur me tone akustik - à la carte!

Ennio nuk shkruante muzikë-pikturale për asnjë sfond kinematografik!

"Në fillim Pasolini ardhë tek unë me një listë emrash kompozitorësh - Mozart, Beethoven, Vivaldi - më kërkonte të inkuadroja disa pasazhe identike për filmat e tij, sepse ato i venin përshtat fotografisë filmike! Shumë mirë - i thash, shko tek këta kompozitorë e mbaroje ç´ke në mëndje. Veç ki parasysh, unë jam kompozitor, dhe puna ime është kompozimi"- Ennio.

Ndaj ngjizja e Morricones me Sergio Leonen pati një teoremë; Dramaturgji vizuale dhe Art multitonal orkestral.



Ostinati legjendar në kinematografi.

Mes komercit dhe avangardës, Bach-ut dhe fakte të tjera!


Ditë zillëku. 6.07.2020 Maestro na la!

Pas një bisede me një koleg (kompozitor dhe pianist në Institutin Italian të Kulturës në Toronto) rreth Mjeshtërit, erdhëm tek citati i njohur i Stravinskit, ku ky i fundit e hidhte fjalën për artin e kompozimit: "Thuam si dëgjon muzikë, tët´ them si shkruan!".

Morriccone përtej muzikës tonale, konsideronte të rendësishme a-tonalet e t´përditshmes që përftoheshin rruginave e zgëqeve të qytetit; muzika e tavernave, këngët e berberëve berbera-neve të Romës, tonet e forta në stacione trenash, shamatat e grave gjitone teksa ç´pluhrosnin tapetet, dasmat provinciale pranë kishave, tenorët amatorë pasionant që këndonin lagjeve, zhurmën e sharrave të zdrukthtarisë pranë shtëpisë, gjithë ç´ishte kulturë muzikore urbane.

I nevoitej musique concrète (1), kjo bibliotekë muzikale, e ruajtur dhe mirëmbajtur në memorien e tij tonale.

"Notat, tingujt - gjenden në kokën time. Muzikën e shkruaj në mendje, ndaj nuk përdor piano. Kur e hedh idenë në partiturë, përherazi ulem në tryezë - jo në piano. Pianon e përdor vetëm në raste kur u ilustroj regjizorëve fragementet e temave." - Morricone.


Markant është arti i Morricones në ndarjen konceptuale orkestrale nga një film tek tjetri. Shpesh ai e nis orkestralen me segmente e tinguj arkaik, duke inkluduar instrumente jo-orkestral, si fyej rustikal, krëhër flokësh xhepi pështjellë me pergamene ose kazoo (2) primitive, firzamonikë -goje të vjetëruar, benxho, mandolina apo instrumente perkusive folklorike. Sinonime të forta këto, marrë nga memoria e lartpërmendur - për të personifikuar, rrugica, vende t´shkretuar, fusha kaktusesh, heronj, lavire e shënjtorë, mafjozë e vetmitarë t´pafe, botë njerëzore e metafizike.

Ashtu si temat kryesore tek - Once Upon a Time in the West, si dhe impakti që krijon lajtmotivi tek - The man with the Harmonica, dëshmon se meloditë dhe tingulli - morricone, burojnë nga timbret e gjalla urbane. Për atë kohë, "Sazja gojës"(3), ishte një instrument krejt i pazakontë për të çelur kuadrin thelbësor të një filmi. Kjo çelje markante (një insistim i Leones), krijon motivin lajmësjellës - një tension të nevojshëm emocional që lë prapambetje tonesh për    t´u rrimarrë nga - Frat Stratocastert (4). Përfshirja e këtyre instrumenteve kontribuon në tingu-llin unik, një domosdoshmëri e rëndësishme kjo për skenat - ball´djersitur, duelet, "vallet dyshe" vdekjeprurëse.

Vetkuptueshmëri por dhe efektfinok është kombinimi i orkestrës dhe fragmeteve acapella të korit onomatopeik. Morricone përdor mikro-qeliza duke e ndërtuar temën me tre nota - Mi-Do-Re#. Përsëritja e kësaj mikro-qelize, është ngritur në piedestal ikonik! Luajtur me firzamonikë goje, s´ka se si mos marrë formën e një ostinati, që transmeton rritje tensionale muzikale tek të gjithë temat e duel´pisqollave që tashmë jane legjendare në muzikologjinë kinematogra-fike.

Po kështu edhe tek "The Good, the Bad and the Ugly", - kemi një nga më të famshmet melodi, ku Morricone imiton ulëritjen e çakejve me tetë tone. Ashtu siç kemi në muzikën klasike të mistershmin "Tristan akord" (5) tek "Tristan dhe Isolde" e Wagner´it, ulërimën e rrezikut ambivalent Morricone e sjell në film me 8-të tone: cezurë dhe pikëkthimi njëherazi.


Më tjetër film, ai shton kitara elektrike, koloratura vokale eksaltuese, psherëtima epshore telefonike, makina shkrimi që tingëllojnë pas zyra dedektivësh… E gjithë kjo narrativë është pasqyra dyfletëshe tonale-a-tonale, që i jep muzikës së tij fytyrë bashkëkohore: "sex, drogs and rock´n roll", qoftë dhe tonet morbide sugjestive (tek filmat e Pasolinit), që sipas sirasë dhe regjizorit, muzika vjen po aq erë gjak, paranoja e trille psikologjike.


Teksa flisnim për Mjeshtrin, duallmë tek muzika eksperimentale - tek një tjetër Moriccone - për adrmiruesit e Ennios asgjë e panjohur.

"Gruppo di Improvvisazione Nuova Consonanza" ai ishte anëtar aktiv këtij grupi improvizator muzikal, themeluar nga Franco Evangelisti, i cili ishte i prirur të krijonte tinguj të rinj. Morricone u angazhua intesivisht me muzikën avangarde italiane. Andaj, këndejpari, atyre që s´ja dinë tabija-tet muzikale Morricones, nuk u mbetet pa përgjigje pyetja shabllone: - Kompozoi Morricone vetëm për Leonen?


Albumi "Musica Su Schemi" e Nuava Consonanza (krenare për këtë vinyl - fitonjur nga një koleksion që tashmë kam trashëguar), një produksion i shtëpisë diskografike - Cramps Records, i vitit 1976, 6109/LP, dokumenton krijime të bazuara në muzikën, Dymbëdhjetë tone- fort ndikuar nga John Cage dhe Luigi Nono, si dhe trajton aplikimin e filozofisë a-tonale, ku instrume-ntët e vërtetë nuk përdoreshin për qëllimin e tyre klasik por për gjetje të reja akustike. Nuhatja tingullore e Morricones dha një kontribut të vyer në inkludimin e teknikave të muzikës seriale dhe asaj elektronike përgjatë zhvillimeve eksperimentale. Lirshëm mund të themi se konceptet muzikale për filmin u ushqyen nga kjo origjinë a-tonale. Mardhënia me muzikën seriale nuk e ndrojti kurrë Morriconen nga teknikat kompozitoriale muzikore të shekullit të 20-të.


Tek universi Morricone, përafrohet muzika autonome koncertale dhe muzika funksionale e filmit - pa i krijuar asnjë stili qedere artistike, përveç se vetëm zhvillime dhe progrese estetike-tonale. Ky fakt shpjegon dhe sjelljen ambivalente të Morricones në lidhje me suksesin e tij si kompozitor i muzikës së filmave të Hollivudit.

Megjithatë - Ikona Morr-Icone, di të luaj e të bëj lëvizjen e duhur, në kohën e duhur edhe në jetë. “Loja e shahut të ndihmon përgjatë jetës, të kalit të përshtatesh me gëzimet dhe zhgënjimet e saj." - kështu shahisti Ennio. Ai është praktik, ndaj nuk nguron të thotë - si një italian nikoqir e burrë familjar, se: "(…) muzika serioze ishte shumë fushë interesante për mua në ato vite, por e veshtirë për t´ ushqyer familjen (…)"!

Përtej orkestrimeve, kompozimeve për filmat e Leones si dhe 500 partitura filmash, ai shkroi përreth 400 kollona zanore për seriale televizive, pa përfshirë këtu reklamat televizive. Ai provoi gjithçka në nivele dhe dimensione muzikalisht të pa dëgjuara. Përveç kësaj, Mjeshtri orkestroi - Hite jashtëzakonisht të suksesshme për artistë gjenial si; Milva, Gino Paoli, Mario Lanza, Chet Baker, Charles Aznavour, Miranda Martino.



Në të njëjtën kohë ka dhe kompozime të Morricones me arkitekture sakrale muzikale, siç është "Vuoto di anima piena", e cila sipas Ennios (më lejoni - këtu më kujtohet vetja tek koncipimi muzikal i albumit "Entropy") - u koncipua të luhej edhe jashtë mureve kishtare për një publik më të gjerë, jo me patjetër vetëm për komunitet fetar.

Morricone është përpjekur të përfshij në muzikën e tij vetëm elemente interesante që rrinë konceptualisht pro - qëllimit kompozitorial. Tek filmi "Klani i Sicilianëve" ai bazohet në

Preludin La minor - BWV 543 (6) për organo, nga Johann Sebastian Bach. Motivi kryesor përbëhet vetëm nga katër tone. Pikërisht në këto tone, Ennio ndërton kërthizën e orkestrales.


"Ju tingëllon e duket e thjeshtë, por më kushtoi më shumë se një muaj vendosja e një motivi sicilian mbi atë të Bach-ut - thotë Morricone për revistën gjermane "Spiegel".

"Kisha dy melodi që luftonin kundër njëra-tjetrës sepse dhe klani sicilian ashtu përleshej me bandën franceze (kur Roger Sartet grabit xhevahirët) - Morricone.

Fakti që këto katër tone janë B, A, C dhe H nuk është rastësi, është një borxh merakliu ndaj Zotit - Perëndisë së muzikës ideale - BACH-ut.



Muzika e ekranit gjigand njeh shumë emra të mëdhenj. John Williams, Jerry Goldsmith, Bern-hard Herrmann, Max Steiner... Për mua, Ennio Morricone, mban fronin më epror të muzikës kinematografike.

S´po di të gjej fundin...

Nuk dyshoj! Ka më tepër kuptim të dëgjoni muzikën e Maestros në vend që t'lexoni tërë këto rreshta. Ndaj ju ftoj; ata që ende nuk e kanë dëgjuar, ata që bënë një copë udhë me muzikën e tij, ata që e humbën por e rigjetën Morriconen, të fikin kompjuterin, celularin, shkoni në "ishullin tuaj" të qetisë (atë më hirplotin), dhe dëgjoni muzikën e Ennios.


Sot, do e nis me Oboen e Gabrielit - The Mission!

Maestro - të falem drejt e prej zemre!


Eda Zari © 2020. Të gjitha të drejtat të rezervuara.



  1. Është një metodë ndryshe nga muzika tradicionale, e cila bazohet në krijimin konkret të toneve përmes objekteve rrethanorë (ato industrial, urbane, makina, sirena, dyer etj.), të cilat regjistrohen për t´u përpunuar më tej në studio në lidhje me muzikën abstrakte. Në kuptimin e zakonshëm, muzika është e ashtuquajtura "muzika abstrakte" në martesë me muzikën konkrete.

  2. Kazoo - funksionon ngjashëm me teknikën e vjetër kur i fryjmë dhëmbëzave të krehërit mbështjellë me leter pergamenë, duke krijuar një tingull të mbytur si të saksofonit. Teksa i fryhet, këndohet në të njëherazi.

  3. …ose Harmonika, është një instrument i vogël muzikor që i përket grupit të harmonikave me kanale paralele ajrore. Kanaleve ajrore u fryhet drejtpërdrejtë përmes gojës, duke përdorur teknikë të caktuar të gjuhës. E hasim në muzikën; Blues, Jazz, Folk, Pop etj.

  4. Kitarë elektrike - produkt i famshëm i firmës së njohur - Fender, modeli më i dashur për Jimi Hendrix e shumë kitarristë të muzikës rock, jazz, metal.

  5. Konsiderohet si akordi më i mistershem dhe ambivalent në historinë e muzikës. Analiza të pafundme janë shkruar mbi natyrën e këtij akordi. Ai përbëhet nga vetëm katër tone të ndryshme dhe megjithatë nuk është e kollajtë zgjidhja e tij qoftë në maxhor ose minor. Ai mbetet jo i kjartë, misterioz dhe enigmatik.

  6. BWV: Bach-Werke-Verzeichnis / është emërtimi i mirënjohur për gjithë veprat e Bach-ut.



321 views

Comments


bottom of page