top of page
Writer's pictureEda Zari

Fajin e ka Bossa Nova. Një zë i qetë për një botë të zhurmshme! Nga Eda Zari


Kur ai sillej këmbëve të mia nëpër kuzhinë - teksa unë prisja pjeprin kantalupo që atij aq fort i pëlqente, në sfond vendosja vinyle me muzikë Bossa Nova. Ksisoj pasditet verore në Düsseldorf - sipas meje - fitonin aromën e detit dhe erën e rërës së shumshkelur, larë me ngjyrën e perëndimit si ajo e peshkut laks. Im bir, kur dëgjonte muzikë nuk kërcente ashtu siç bëjnë të vegjëlit në mënyrë intuitive. Pesë vjeç qe n´atë kohë, kur figurat ritmike dhe meloditë i riprodhonte në copëza onomatopeike. Çaste të tilla ma dehnin fort nënën e re brenda meje.











Dje, qe një natë verore e jona si dikur - sërisht im bir, Henning, tashmë burrëruar dhe unë. Për provën tonë në duet - u takuam jashtë, pranë Rain´it në lagjen japoneze në Niederkassel. "E ka fajin Bossa Nova" - tha ai, duke lëshuar një - mhh, teksa zuri vend qefplotë në barin e përzhitur! E pataksur e pyta mos e kish gjë fjalën për një këngë Schlager (1) gjermane me të njëjtin titull - të viteve 60´të! Jo për gjë, por do ishte diçka krejt atipike për të ti përkushtohej një muzike e cila në atë kohë, sidomos muzikën braziliane nuk e mori kurrë shumë seriozisht.

Jo - më tha, duke shtuar se, që kur mori ftesë nga unë për të qënë pjesë e turneut në Brazil, e kish kthyer sërisht fokusin tek Bossa. "Ma - Bossa Nova ma bën humorin të begatë, vjen era kantalupo, më kujton fort kuzhinën tonë kur isha i vogël, më godet ëmbël, mi bën instrumentit." - me këto fjalë nisi të demostrojë at´këngë të cilën do e këndojë në koncertin që do mbajmë në Ceara, Fortim, Brazil me 14 korrik këtë verë.



Më kujtoi veten kur për herë të parë në të 20´tat e mia, bleva albumet e João Gilbertos dhe Antônio Carlos Jobim. Për lexuesin jo fort familjar me botën e muzikës "Bossa Nova" - João Gilberto konsiderohet shpirti i bossa nova ´s, i cili revolucionarizoi muzikën braziliane në Rio de Zhanerio në fund të viteve 1950.



Vokalisti dhe kitaristi thurri vetë vetëm disa këngë por - interpretimet e tij krijuan një atmosferë të pakrahasueshme. Gjithëhera bossa nova më është dukur përrthithëse dhe e butë, melankolike dhe gazmore, poetike dhe perkusive. Ndaj bossa nova jo vetëm në rrafshin muzikor por dhe antropologjik për mua është dialektika braziliane në maksimumin e saj. Tek "Bossa Nova" takohen melodi të frymëzuara me harmoni disonante. Të kundërtat e dukshme shpërbëhen dhe kombinohen për të formuar një stil unik muzikor që të lejon të shikosh thellë në shpirtin brazilian. Nuk di pse tani që shkruaj më ngjan sikur malli i tingullit të "N´penxheren e zotëris´sate", është si malli i këngëve të Gilbertos, që mund të të shkatërrojë nga brenda.

E kam fjalën për atë mall a ndofta atë bukuri që gllabëron gjithçka!


Akordet që Gilberto zbuloi në kitarë janë eterike. Pastaj mënyra e tij e të kënduarit sotto voce (2), forma dehëse vokale që të inkurajon përdorimin e duhur të con sordino´s (3) në korda: dëshmon se ai kurrë nuk e hodhi zërin ballazi tek dëgjuesi dhe as e përdori volumin e tij të plotë.

Kjo mënyrë të kënduari karakterizon personalitetin e tij, duke i falur këngës lehtësinë e saj tregimtare con doloro (4).


"Dua të dëgjosh diçka që uroj tët´pëlqej Ma... do ta këndoj në Fortim - thotë biri, teksa akordon kitaren dhe merr gati hiret e Orfeut kur ulet pranë Euridiçes tek filmi "Orfeu Negro" (5) - veçse se unë jam nëna tij. Dhe mu bë si déjà-écouté - kur ai mu lut atëherë ta dëgjoja: ishte vetëm 14 vjeç kur luajti në kitarë motivin e këngës "Qaj Maro", të cilën e kish dëgjuar nga albumi im "Statement".



"Aos Pés Da Santa Cruz" (6) kënduar nga João Gilberto, ishte një këngë dalë nga magja e Marino Pintos dhe José Gonçalves, kënduar në origjinal nga Orlando Silva. Henning kish pak kohë që kish mësuar të këndonte në gjuhën portugeze që aq bukur i rri vokalit të tij.

"Vetë ritmi, i cili karakterizohet nga shumë sinkopacione është si një gjuhë më vete, dhe kur bashkohet me gjuhën porto-braziliane s´ke nga ja mban pa rënë në lakun e dashurisë - thotë ai duke mbajtur penzën në cepin e buzës. Përmes kalimit nga instrumenti tek zëri dhe anasjelltas Henning më rideklaroi se muzika si simbol ka të bëjë më shumë me "opsionin" për të përjetuar, për të kujtuar, për të ndjerë më shumë sesa për të formuluar me patjetër një përvojë të re specifike. Kalimi nga zëri tek instrumenti simbolizon poaq dy forma rrëfimtare që mbajnë gjallë njëra-tjetrën me struktura dhe cilësi emocionale. Më ngazëllen mënyra se si ai mbështjell fjalën me tingull prej një vokali ëndërrimtar, lakmitar, ëmbël, ndonjëherë të brishtë gati delikat me qartësinë e traditës "bossa nova" por dhe duke ngritur homazh modestisë vokale të Gilbertos. Nga arsye jashtë - mëmësore, më tepër profesionale, dua të kuptoj se si ai e përfytyron melankolinë duke u futur brenda tingullit të gjuhës, poezisë, rrënjës perkusive të kulturës së një vendi ku asi s´ka qëne kurrë fizikisht por shpirtërisht po sepo. Sfida e së tërës është lënia e hapësirës "less is more" - zejtari aspak e lehtë që lyp kënga. Dhe mesa duket dashuria - për artin e Gilbertos, i rrëfen se - atij nuk i pëlqen të mjaftohet vetëm me qëndrimin mitik të muzikantëve të xhazit, të cilët mendojnë se xhazi duhet të tingëllojë vetëm si Miles Davis.

Kjo formë minimale nuk ka as orkestrim, as harqe, as efekte, vetëm zë pa maniera dhe kitara e tij. Dhe kënaqësia zgjat… Teksa ai këndote - pa mendje, e regjistrova me iPhone, duke falenderuar teknikën spontane si dhe konceptin pse butoni i përsëritjes është shpikur për regjistrime të tilla.

Ndaj këtu po u bashkangjis versionin e këngës "Aos Pés…" kenduar dhe luajtur në kitarë nga Henning Jung në formën e një klipi.



Pas regjistrimit - që e bënë bossa nova´n të njohur në mbarë botën, në cilësinë më të mirë të mundshme - përmend këtu albumin "Getz / Gilberto" - shumë muzikantë të xhazit nisën të përdornin kompozimet e hershme bossa nova duke i kthyer shpesh herë nga koha 2/4 në 4/4. Në këtë aspekt, marrëdhëniet e tyre me bossa nova çuan në forma moderne hibride ashtu siç bëjnë dhe sot ripërzierësit e kësaj rryme.

Vala e re - Bossa Nova ende po derdhet sot në të gjithë botën. Në aeroporte dhe anije turistike, në bare dhe ashensorë, në dhoma pritjeje dhe stadiume - Bossa Nova mund të dëgjohet kudo. Ndaj edhe sot, zhanri është shumë trendi, falë artistëve (sipas preferencës personale) Tom Misch, Yussef Dayes, Melody Gardot, Rita Payés, Linda Rukaj por pse jo dhe Henning Jung.

Photo by Eda Zari

Nga rrëfimet vetjake, sidomos ato treguar nga perspektiva e nënës, kuroj të mbaj dietë në publikimin e tyre. Poaq nga ana tjetër pyes - pse duhet të mendoj se përjetime të tilla inspiruese nënë e bir - duke patur busullën e muzikës në mes, meritojnë të publikohen?


Ndofta janë sendet e vogla, të vyera, të pazakonta e zë ulur, shijet e përbashkëta, që i ftojnë njerëzit të shijojnë tok, të butën e harruar të botës së zhurmshme. Ndofta tingujt e Bossa Nova´s na risjellin një nostalgji për atë kohë në të cilën kemi marrë e dhënë me hyjninë brenda vetes e të cilën e kemi humbur.

Fundja është verë dhe mendoj se ja vlen urimi i denjë brenda kontekstit:

- Faji i kënaqësisë së Bossa Nova´s na qoftë pranë - si një lumturi kalimtare.


Eda Zari, 24.06.2022, Düsseldorf. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


1- Schlager quhet një lloj i caktuar muzike nga vendet gjermanishtfolëse. Këngët Schlager zakonisht këndohen në gjermanisht dhe janë argëtuese. Tekstet dhe meloditë janë kryesisht të thjeshta dhe ngarkuar me sentimentalitet të bazuar në zhargonin e kohës.

2- Nën zë, i pëshpëritur ose pa zë.

3- Një teknikë që përdoret për instrumentet e frymës për zbutjen e tingullit, një formë "shurdhjeje" estetike e tingullit, siç paraqitet tek pedali i pianos, trompës apo trombonit.

4- Term muzikor kur sinjalizojmë në partitur koloritin e interpretimit: me dhimbje, e dhimbshme.

5- Orfeu Negro është një film (prodhim i vitit 1959 - bardh e zi) që sjell mitin e lashtë të Orfeut dhe Eurydiçes në festat e Karnavaleve në Rio de Zhanerio. E veçanta në rrafshin muzikal është se muzika e filmit, e cila u kompozua nga Antônio Carlos Jobim dhe Luiz Bonfá. Panoramat muzikore paraqesin për atë kohë - hitet klasike të mëvonshme të Bossa Nova´s si këngët "A Felicidade" dhe "Manhã de Carnaval". Filmi pikturohet muzikalisht me ritmet tradicionale dhe këngët samba

6- "Aos Pés Da Santa Cruz" (Samba, 1942) Nën´këmbët e Kryqit të Shenjtë, me autorësi të Marino Pinto & José Gonçalves. Një përkthim në anglisht i gjendur në vinyl:


To the feet of the Holy Cross

You knelt down

In the name of Jesus

A great love you swore

He swore, but he didn't do it.

He pretended and deceived me

You lied to me.

For God you have sinned

The heart has reason

That the very reason is unknown

Make promises and swear

Then forget it

Following this principle

You promised too.

He even swore a great love

But then he forgot...


92 views

Comments


bottom of page