top of page
Writer's pictureDr. Përparim Kabo

Fenomeni Eda Zari: Përtej 'Tokës së panjohur', te Muza! Nga Dr. Përparim Kabo


Të shkosh drejt së panjohurës, është udhëtim apo diçka tjetër, një metamorfozë që ngjiz sozinë tënde shpirtërore?!

Cila është busulla që të duhet?

Cili është ylli polar që të orienton?!

Cila është kënga që duhet të të shoqërojë?!

Çfarë ka në misterin që lypet të takosh? Ka ankth, trishtim, kuriozitet, ndjenja të harruara, apo një shpresë për ringjallje?

A është ajo tokë ku njerëzit kanë lindur, kanë jetuar, ku kanë provuar dashurinë dhe më tej kanë vdekur? Të jetë kaq e thjeshtë?!

"Toka Incognita" është një befasi arti, është muzikë që të shpie larg, të merr në ajrin e saj dhe të jep frymë duke të bërë të lëvizësh në mënyrë kozmogonike. Atje janë të katër dimensionet. Është qielli, është brerorja njerëzore me të gjitha ankthet përshpirtjet, ëndrrandjelljet, janë makthet dhe gëzimet. Sepse thuhet "fluturo vashë ti fluturo dhe hëna rri e vështron", e gjithë kjo duket si një pikturë moderniste. Është si dimension kozmogonik edhe nëndheu që vjen si nënujë, atje te liqeni ku të pret në breg varka e Karontit për në botën e shpirtrave dhe gjithçka është një valë e shkumës ashtu si ishte atëherë, kur nga zhgulma e saj dhe gjaku i kosores së Cronosit ndaj atit Uran-qiellit: lindi Afërdita mitike, bukuria dhe dashuria femërore! U krijua lumturia njerëzore, e cila në themel është femërore. Sa ligsht për ata që ende nuk e kanë kuptuar këtë gjë. Janë fatkëqijtë që ende e ndoshta kurrë nuk do të kenë qenë e as do të mund të shkojnë te "Toka Incognita!" Dimensioni i katërt është shpirtkënga e Eda Zarit, këngëtares shqiptare që na ka shpënë me artin e saj te Muza.


Ai, dielli-Zeus kishte shumë energji dashurie, provoi ta jepte këtë zjarr si ngrohtësi, si llavë dalldie, sepse më së shumti ai provoi dashurinë me të përkohshmet, me tokësoret. Kështu u përgjigj Era, e vetmja grua me "dokumente" e kryezotit, kur e pyetën gratë ziliqare të Olimpit: "çfarë pëlqen Zeusi kur të tradhton me tokësoret?!"

"E përkohshmja", qe përgjigjja, që është e thjeshtë dhe e ndërlikuar njëherësh. Kompleksiteti është i lidhur me faktin se të gjithë jemi të përkohshëm ndaj me ne është edhe mëkati, që nuk na turpëron, por na shtyn në ngasje të tregohemi të vërtetë. Zeusi diti kë të fekondonte. Me orgazëm qiellore shtatzënoi kujtesën. Ishte krijuar çifti i arsyes, me atë që nuk duhej të humbiste, sepse ishte një arkiv ndjenjash, përjetimesh dhe fjalësh të zgjedhura, Mnemosia (perëndesha e kujtesës). Ato që lindën si frymëzim si muza ishin bija, ishin femërore. Ja pra se në themel, që nga gjeneza, energjia për të ndryshuar fal krijimtarisë, gëzimi dhe e panjohura, sekreti i fundit, ironia, dhe tragjedia, elegjia dhe vallja e kënduar, qielli dhe elokuenca ishin vetëm femërore. Vetëm falë kësaj pjelle gjini-seks gruaje, lumturia në thelb është femërore. Muza femërore ose femramuzë! Prej saj ishte ndërtuar kështu prova dhe sfida njerëzore. Dhe prin si bija e parë mizika-Euterpe, ajo që gëzoi gjithçka që do të pasonte, sepse ato nuk ishin binjake. Bija e pestë ishte Terpskiori-poezia lirike me vallëzim, aq e kudotakuar tek antropologjia shqiptare qysh nga gjeneza pellazgjike. Popujt oralë si ky i yni gjithçka e kanë të arkivuar tek eposi apo erosi i kënduar dhe te vallja që është edhe një ekzibicion veshjeje dhe rituali me të gjitha gëzimet dhe "takëmet" e një spektakli që ndrit në një shumësi ngjyrash dhe relieve ndjenjash, nga ato më të thjeshtat deri tek ato më të çuditshmet dhe që të shpien aq çiltërsisht te portat e misterit. Duhet të zhytesh thellë te kënga popullore, baritore apo qytetare, ashtu si në ujërat e nëndheshme, që të kuptosh se sa e thellë është ajo që duket aq e thjeshtë, aq naive dhe e drejtpërdrejtë në pamjen pozuese.

"Toka e Panjohur" nuk është vendi i pashkelur që pret udhëtarin kurioz dhe aventurier. Është diç më shumë, është një udhëtim surreal në botën e shpirtrave. Fluturim tek ato galaktika të universit të brendshëm të njeriut që ka vetëm një pasuri të cilën nuk e fal, nuk e shet, nuk e huan. Ai vetëm e dhuron. Është dashuria! Është udhëtimi më i vështirë që mund të të rrëzojë, por duhet të ngrihesh, që mund të të lodhë por nuk duhet të ndalesh, që mund të të shpjerë në shtegun e rrezikut, por nuk duhet të trembesh, mund të të hutojë me "pijen e Circës"; por ti Udhës-njeri, që ke misionin për t'u kthyer në Itakën-zemër, nuk duhet të ndalesh. Je fillikat dhe nuk ke mentor me vete. Është vetëm dashuria blatuese që vuan brenda teje. Ajo shpirtmuzë nuk dëshiron të vdesë pa lindur. Dashuritë e palindura janë viktima më tragjike se Efigjenia e Agamemnonit, dhe betejat e humbura si puthja që nuk realizohet, janë shumë më tragjike dhe të dhimbshme se Troja e rrëzuar. Ky populli ynë nuk kishte pasur liri, sepse lufta ishte gjithnjë më pranë deri sa e mësoi edhe si profesion vdekje-jete. Nuk kishte pasur pasuri dhe llamburitje, porse kishte pasur shpirt, dhe kishte mësuar t'i këndonte dashurisë qoftë edhe në timiditetin e një mbylljeje gati provinciale.


"Toka e Panjohur" i këndon kësaj shpirtëroreje që nuk tretet në të gjitha motivimet dhe trillet e saj, me qëllimin shpëtimtar që të dalim nga ajo që na frigon, që nuk na lë të shprehemi, që na bën me turp! Kjo "perçe" duhej hequr, sepse më shumë sesa një cohë e zezë apo një cipë besueshmërie, kishte qenë një vetëturpërim i pamerituar. Këndohej brenda mishit, do të duhej të këndohej edhe jashtë tij, nga këta njerëz kaq modestë në këtë qiell frymëzimi herë-herë horizont mbyllur si kohën e mugëtirave.

E dëgjoj dhe ridëgjoj albumin më të fundit të këngëtares Eda Zari, të titulluar "Toka Incognita" dhe muzika, arti që sekretin e fundit nuk e tregon, jo se e fsheh, por se e ka të pafundmë, më shpuri falë këtij pengu që pret të shkodohet, në një taban ekzistencial: atje ku qau për herë të parë gjeneza jonë. Dhe bija dodonase Eda Zari këndon e zbathur! Komunikon me nëntokën dhe qiellin në një gjeometri shpirtërore. Nga amfiteatri njerëzit (falë Proteusit-perëndisë së metamorfozës) nga raca e Akilit, birit të Tetisit; shndërrohen në djem e vajza të sotme që lodrojnë nën tinguj ekzistencialë. Marrin identitet, janë shqiptarë. E "panjohura" në këngët e këtij albumi, që vjen edhe si "e fshehura", është magjia e një udhëtimi special falë artit. "Misioni Zarian" është tejet delikat. Të gjendet për perlat e muzikës popullore shqiptare, "guaska e re", jo thjesht ajo moderne që të huton me mungesën e sinqeritetit që tregohet bukur kur ti je i dehur! Është diçka tjetër përtej modernitetit.


Me perlat shqiptare Eda Zari i fton mediumet e tjera të muzikës si bluzin dhe xhazin në një udhëtim gati apokaliptik. "U propozon të shkojnë bashkë në shpërgënjë, te streha kur muzika ishte muzë, sepse ajo i takon atij populli, atij identiteti, asaj mënyre të kënduari, që edhe sot thotë shpenguar: "qenke me muzë sot", fjalë kjo që nuk përdoret nga popuj të tjerë ballkanikë.

Zëri i Eda Zarit dhe gjithçka që e mbështjell, shoqëron dhe e frymëzon atë në një udhëtim të tillë dhe duket si një lumë gëzimi që buron nga kanionet e jugut dhe që është çliruar nga nëntoka prej një kori vashash të bukura që lahen "lisho" në ato ujëra, sepse bota atje nuk ka tabu. Hiret e tyre janë lënë në atë lumë për të gjitha kohërat. Dhe lumi mandej merr udhën pyjeve, lugjeve dhe monopateve duke përthithur në këtë bredhje çapkëne të gjithë muzikën që fal ky udhëtim breror e për të dalë mandej në fushën e gjerë ku të gjitha "kokat naive" të lulediellit kthehen me dashuri dhe heshtje nga drita që vjen nga ky lum që këndon. Shtyhet rrjedha dhe mbërrin në detin e gjerë ku horizonti ikën në një liri marroke drejt horizontit për të takuar mirazhin dredharak. Ujërat kapërcejnë ngushticat dhe dalin në një përqafim gati magjik në oqeanet, atje ku thellësia është sprova, ndërsa të qenët në mes të oqeanit është prova jote e fatit. Atje takohen të gjitha kontinentet, popujt, etnoset dhe panairi i ritmit shpirtëror sjell një ngjizje të isopolifonisë shqiptare me ritmin afrikan të bregut mesdhetar, me bluzin meditativ të paqësorit dhe xhazin që është nën peshën e dhimbjes duke kënduar këngën e fatit në tinguj që lëvizin si gjak dashurie në kapilarë. Mjeshtrit janë në ditët e rrëfimit dhe është koha pa numra aritmetikorë. Gjenden shkrirjet se pse pesha e përgjegjësisë është më shumë se art, është "pelegrinazhi për të zbuluar sekretin e muzës".

Baresha e këtij makroshpirti muzikor është Eda Zari. Atëherë gjithçka merr një kah tjetër, Eda Zari i drejton në një tempull që është i vjetër sa ekzistenca. Ejani të shijoni një këngë fillnisëse, atje ku muza dhe kënga ishte e njëjta! Ejani se ashtu si gjuha e këtij populli, "kjo fosile e gjallë" dhe kënga e tij, është nistore. Na bashkon gjerësia e shpirtit, durimi në mbijetesë dhimbjeje. Na afrojnë ndjenja, murmurimat e shpirtit që në monopatet e thella të trupit të njeriut simbiozohen dhe të ndjerit thellë atje ku jo kushdo mund të shkojë. Ne do të mund të shohim në ato ujëra, sepse oqeani nuk ka mure. Ky është "Sekreti i Parë Primordial" që fenomeni Eda Zari ka ngjizur dhe jo thjesht ka zbuluar, qysh në atë agim krijues kur e puthi isopolifoninë tonë me xhazin, një puthje që ngjiti si një besë në një dashuri pa kthim. Si thoshte Honore de Balzak, fati i dashurisë varet nga puthja e parë. Dhe tek arti i Eda Zarit kjo ka ndodhur.


Ky nuk është thjesht inovacion nga ato që falë eksperimenteve dhe teknologjisë mbushin sot tregun, duke na marrë mendjen për pak kohë falë kuriozitetit që e shtyn njeriun për më shumë njohje.

Është më shumë, sepse Eda Zari ka bashkuar ujërat e nëndheshme, e ka sjellë universin në kohën kur ishte fëmijë dhe gjithçka ishte magmë frymëzimi, pa u ndarë ende. Atëherë kur ende nuk kishte filluar udhëtimi që frymëzohej nga fatet e popujve dhe ndërtimi i kulturave unike që do të qëndisnin veten me penjtë e identitetit. Ky është një zbulim që të fshehtën nuk ta fal si dhuratë, porse do të duhet të provosh mes sfidave, nevojave, aftësive perceptuese dhe ushqimit të bollshëm të kulturës muzikore. Si art demokratik kënga e saj hyn në shpirtin e çdo dëgjuesi, sepse shtegun për atje Eda Zari e di dhe hyn si somnambule e gëzuar. Nëse rrekesh të bësh kritikën e artit të saj, duhet të matesh në pafuqinë dhe fuqinë tënde të arsyes, kulturës dhe civilitetit, sepse është jo e thjeshtë. Ke përballë një fenomen muzikor dhe jo thjesht një këngëtare!


©2012 Të gjitha të drejtat të rezervuara Dr. Përparim Kabo


 

8 views

Comments


bottom of page