top of page
Writer's pictureEda Zari

Gruaja në muzikë – “a guilty pleasure”?


Përgjatë një palo viti pandemik, përmes koncerteve online, realizuar në filarmoni e salla boshe (ndjekur nga një publik virtual), është “festuar” 250 vjetori i lindjes së Beethoven-it. Jemi në ditët e fundit të dhjetorit dhe ky festivitet zgjat ende duke marrë shkas prej ditës jubilare të pagëzimit (jo të lindjes) të kompozitorit në Bon, më 17 dhjetor 1770. Këto aktivitete, eklipsojnë madje koncertet e festave të shenjta të Krishtlindjeve: këtë herë as Telekom-i nuk përmbahet nga “euforia”, por zbukurohet me Ludwig-un duke sponsorizuar “Beethoven Nacht” (Nata Betoviane), në mbarë rrjetet sociale.


Epo thashë – po solidarizohem dhe unë me këtë atmosferë! Duke patur një tekst ekzistent – artikullin tim shkruar për Beethovenin (në janar të këtij viti), tek “Peizazhet e Fjalës”, mejtova ti hedh një sy sërish, mos ndoshta i kisha ngrënë hakun veprës së tij. Në fakt, pa e patur qëllim në vetvete, më vajti mendja tek një kontrapunkt [1]! Për inerci, shoh se i paskam ngrënë hakun gruas në muzikë!

Teksa Bach, Mozart dhe Beethoven janë emra botërisht të njohur, krijueset, kompozitoret, pianistet e talentuara të gjinisë femërore kurrë nuk gëzuan aq shumë vëmendje sa kolegët e tyre, për të mos folur pastaj t´u festohen me tam-tame përvjetore.

Më duhet të sjell ndërmend një ndër leksionet e historisë së muzikës në klasën e Prof.Lehmann (në vitin 1999) në konservator – “MHSCH” në Këln. Në analizën e tij, gati i zënë në faj, Lehmann – margjinalizimin, lënien pas dore, mos vlerësimin e krijimtarisë, formësimin praktik e teorik muzikor nga gratë kompozitore e instrumentiste ndër shekuj, e formulonte si “Njolla e Bardhë” në hartën e historisë muzikore botërore! Pas disa vitesh kjo “njollë e bardhë” më kujtoi të blija leksikun e muzikologeve, kompozitoreve e instrumentisteve gra evropiane të shekujve 18 dhe 19-të, i cili përfshin rreth 700 muzikante – shumë prej tyre, deri më tani pak të njohura. Gjithashtu ky leksikon vete pas në histori, duke përfshirë emra tepër të dashur për mua – mësueset e degës së kompozicionit të cilat më së shumti kanë punuar si instrumentiste, kompozitore duke dhënë një kontribut gati liturgjik në fushën e muzikologjisë dhe asaj kompozitoriale. Po të gjykoj listën e kolegëve titan të lartpërmendur – kompozitorëve burra, emri – Hildegard von Bingen nuk mbërriti të radhitej pranë emrave të tyre. Brenda “Arkës” së krijimtarisë së kësaj filozofe, kompozitore, poete, mësonjëse e denjë benediktinase (këtu e 900 e kusur vite), gjejmë të shpëtuara 69 deri 77-të kompozime me lirika përkatëse dalë po nga pena e saj, si dhe vepra të tjera shumë me vlerë! S´mund të lihet pa përmendur “Symphonia armoniae celestium revelationum”[2]. Të ketë qënë muzik´e Hildegardës “kënaqësi mëkatare”?


Megjithëse Hildegard von Bingen, jo vetëm në Gjermani por dhe shumë vende të tjera nderohej dhe shihej si një shenjtore, procesi i shenjtërimit të saj u morr katër herë nën thjerrëzën e Vatikanit, prapëseprapë nuk u kanonizua. Në kalendarin e kishës romane, 17 shtatori [3] konsiderohet – dita e përkujtimit të Hildegard von Bingen. Pas 833 vitesh, në tetor të vitit 2012, Hildegard von Bingen më në fund njihet zyrtarisht si – Shenjtorja Hildegarda von Bingen! Ajo ishte gruaja e parë që themeloi manastirin e saj me ekonomi autonome – në atë kohë krejtësisht e paimagjinueshme. Von Bingen kompozon këngë liturgjike të cilat këndohen nga murgesha (më ato mote, zakonisht këndimi u ndalohej grave), ajo përpilon dokumente shkencore (ky privilegj qe i rezervuar më parë vetëm për murgjit), i lejon murgeshat e saj të vallëzojnë gjatë meshës me rrobë të bardhe dhe flokë të lëshuar, si dhe shkruan biografinë e saj përgjatë udhëtimeve në vende e krahina ku predikonte. Hildegarda gëzon adhurimin tim pakushte.

Në vëmendje sjell poaq një prej pioniereve të pianos, një paradigmë, një grua e cila modernizoi formën dhe lojën pianistike. Në fillim të shekullit të 19-të, Clara Josephine Wiecy ose – Clara Schumann, i dha fund virtuozitetit dhe vetë-portretizimit të saj pianistik duke u përqendruar në reformimin e përmbajtjeve dhe përbërjeve të repertorit pianistik por jo vetëm. Clara e shikonte rolin e saj, si një shërbyese e formave metodologjike, kompozicionale e instrumentale.


Nocturne në Fa maxhor [4] (kompozuar nga Clara Schumann)

Për më tepër, Clara më imponon me gjenialitetin e saj determinues në prapavijën bashkëshortore. Në gjashtëmbëdhjetë vite martesë me Robert Schumann (Schumann-ët jetonin në Düsseldorf), ajo solli në jetë tetë fëmijë, kaloi dy aborte dhe nëse përformonte para publikut, i duhej rishtaz, zemërimin e burrit të saj të famshëm, ta bojkotonte duke krijuar vepra të reja. Pasi Robert Schumann u sëmur (psiqikisht) dhe fjeti të madhen, Clara nuk e sosi përkushtimin ndaj krijimtarisë dhe veprimtarisë së saj. Përkundrazi, ajo çliroi veten, intensifikoi marrëdhënien, dashurinë e saj inspiruese me Brahmsin dhe u kthye me sukses në podiumet koncertante, duke frymëzuar gra të brezit të saj pianistik, frymë që ndihet edhe sot. Ajo i tregoi botës së muzikës – dominuar nga burra, se sa mirë funksionojnë rrjetet femërore, si dhe përcaktoi se çfarë ishte në të vërtetë loja pianistike femërore. Në thelb, puna e saj zbehu klishenë e kolegëve meshkuj se – “loja” e zonjave në rrafshin muzikor s´është asgjë veçse një – këndellje mëkatare, e ashtuquajtura – Guilty Pleasure! Rubinstein lojën pianistike të saj e komentonte plot “rrahje të pakuptimta ose shushurima tastesh të ngadalta”, ndërsa Liszt e epitetonte si lojë të ngathët femërore pianistike. Ishte Clara ajo që risolli në podiumet artistike (dhe tërhoqi vëmedjen e muzikologëve) kompozimet kolosale të Emilie Mayer[5]. Brenda veprave të Mayer, spikasim tetë simfoni, përbërë prej një misteri të thellë tonal ku sillet e zhvillohet një frymë e lartë virtuoziteti. Me vdekjen e Emilies, vepra e saj ra preh e harresës.

Në këtë radhitje përfshij dhe Alma Mahler. Po të njëjtat arsye na kujtojnë se asgjë nuk e përtërin shpirtin e një gruaje kompozitore sesa të krijojë. I shoqi i saj Gustav Mahler, dikur në letrat e tij na shfaq një pishmanllëk që i ardh´aspak në ndihmë Almës dhe frymës krijuese të saj. Ajo shkruan, citat: “dua të kompozoj, por e kam të ndalur”. Pasi zbuloi kompozimet e Almës, Gustav i shkruan asaj: “Çfarë kam bërë? Këto këngë janë thjesht´ të mrekullueshme! Këmbëngul që ti rishohësh dhe ti publikojmë. Nuk gjej paqe derisa t´ja rinisësh punës. Zot, paskam qënë i ngushtë!”. Por shpirti krijues i Almës jetonte tashmë në plan të dytë.

Kënga e korrjes (kompozuar nga Alma Mahler)

Kur shtoj, se tabiate të kësaj natyre i hasim ende në zyra, dhoma e pas kuintave artistike, nuk jam duke thënë hiçgjëkafshë të re.


Personalisht ma ka ënda të rri larg altoparlantëve dhe zërave që thërrasin se – urrejtja ndaj burrave është një formë çliruese! Mirëpo as më bën përbuzja dhe mosbesimi i Anton Rubinstein kur thotë ndaj gjinisë së kundërt në 1890: “Për krijimtarinë muzikale, atyre u mungon thellimi, fuqia e mendimit, horizonti emocional, liria e linjave muzikale.”

Ndaj ma ka ënda ti qasem mendësisë së Martha Argerich: “(…) ca gjëra duhet të fliten troç e të thirren ashtu si e kanë emrin. Fatkeqësisht, bota pianistike e kompozitoriale mbizotërohet nga meshkuj, të cilët ua kanë mohuar grave famën e merituar. Kur burrat luajnë në piano, salla e koncerteve shndërrohet në një faltore. Aty riformohet besimi, formulohen ekzegjeza të reja dhe bota rishpiket. Ndërsa kur gratë hyjnë në sallën e koncerteve, kjo hapësirë zakonisht mbetet një “sallon mondan” dhe kaq.”


Ajo që dikur konsiderohej margjinale tashme është pranuar se rron ende në podiumet artistike – përfshi këtu dhe krijueset në artin pamor apo shkrimtaret.

Qoftë në muzikën e xhazit apo n´atë klasike – një Dianna Krall, Nina Simone, Carla Bley, Hiromi Uehara apo Gabriela Montero, Yuja Wang, Khatia Buniatishvili, shpesh reduktohen në cilësitë e tyre femërore argëtuese.


Carla Bley feat. DR Big Band

Gojë të liga mediale vetëmasturbohen duke i quajtur ato pa teklif – produkte të vyera marketingu, apo duke i rënduar me konotacione seksiste. Rrallë e për mall, kur bëhet fjalë për cilësitë muzikore të kompozitoreve apo instrumentisteve bie fjala për – mëmën e pianistikës Martha Argerich (mjaft aktive edhe në 79-tat e saj), kritikës u mjafton fjalia e vetme lapidareske: “Ajo luan si burrë”.




Në fakt ky përjashtim lavdëronjës nuk specifikon kualitetin profesional të pianistes por nënkupton: ajo luan fuqishëm, me vrull dhe se ajo ka bërë një plan! “Mjeshtrat” e penës nuk ditën të formulonin kurrë, se Martha me shoqe janë femrat e sotme Betoviane. Po, ato janë me thinja, të pambuluara, seksi, magjibërëse, virtuoze, nëna, motra, bashkëshorte, protestuese, provokuese, debatuese dhe kanë një emër – Njeri!


Pikërisht këtu ngul këmbë të mos anashkalojë pa thëne atë që është sfumuar në skenat dhe festivalet e muzikës serioze (E – Musik – “Ernste Musik”) në vendin e lindjes së Beethoven, ku dhe jetoj!

Sot janë të pakët pianistët që kanë ç´të thonë, shumë prej tyre domosdo u mungon marrëdhënia interpretuese me instrumentin ashtu siç u kish hije mjeshtërve të dëshmisë pianistike; Alfred Brendel, Vladimir Horowitz, Friedrich Gulda, Glenn Gould. Sot festohen e lavdërohen kryesisht pianistët për gestikulimin e tyre ekscentrik, për prodhimin e vetvetes si një Brendel apo Glenn Gould i dytë. Madje ca herë këta pianistë i shohim të përformojnë nëpër koncerte ashtu siç ishin pritshmëritë ndaj grave në shekullin e kaluar.

Por, shumë prej pianisteve të lartpërmendura, muzikën, krijimtarinë, instrumentin, nuk e shohin më si armë në fushë beteje. Ato nuk luftojnë në emër të feminizmit apo të emancipimit si qëmoti, sepse prej kohësh e bëjnë këtë betejë me veprat, lojën e tyre poaq betoviane, rachmaninoviane qoftë akoma me gjuhëthyese emri – shostakoviçiane!

Janë këto gra e zonja – me, apo pa dekolte, që sjellin e mbajnë në jetë kompozimet e meshkujve krijues të lartpërmendur por dhe kolegeve të tyre harruar ndër mote! Ato dinë të qëndrojnë edhe nën hijen e nënvlerësimit, klisheve seksiste. Domosdo ato prej kohësh e kanë gjetur fronin e tyre në muzikë. Klishetë gjinore kanë qenë dhe do mbeten një pasqyrë e shoqërisë sonë. Sot në kohët e Covid19, arti dhe kultura lëngojnë nga izolimi, heshtja dhe duket se lihet me kast pas dore. Ndaj në këtë mori hallesh që na kanë zënë, duhet ti afrohemi më pranë njëri-tjetrit.

Arti i grave duhet parë jo vetëm prej rrëfimit mashkullor!

Në fund të fundit, ajo ç´ka mbetet thelbësore është shpresa se dikur loja gjinore e qenieve njerëzore do të transformohet në tingull, që për mua është dhe mbetet forma më e vërtetë e dashurisë. Gëzuar me Art!

______________________________________________________________


(c) 2020, Eda Zari. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Shkrimi u publikua për herë të parë tek Peizazhe të Fjalës.


[1] koncepti muzikal – notë kundër notë – kundërveprim. [2] Simfonia e Harmonisë së dukurive qiellore – Një koleksion i këngëve tradicionale liturgjike. [3] Shën Hildegard von Bingen lindi më 1098 në Nierderhosenbach dhe ndërroi jetë më 17 shtator 1179 në Bingen – qytezë pranë Rhein -it. [4] Për mua kjo Nokturne rri si thënie thelbësore e muzikës romantike pianistike, kompozuar nga Clara në moshë shumë të re. [5] Emilie Mayer: Kompozitore gjermane (1812-1883). Në librin “Etaloni Beethoven? Kompozitoret nën hijen e gjeniut kult”, Dr. Martina Helmig, e quan Emilien “femra betoviane”.

247 views

Comentários


bottom of page